Kurti: Vetëm të bashkuar punëtorët mund t’i zmbrapsin punëdhënësit oligark

“Punëtorët e sektorit privat vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e 1 Muajit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

“Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre, ndërsa ne jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

1 Maji, sipas tij, na mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund të sigurohen të drejtat e punëtorëve, për një të ardhme prosperuese për të gjithë. Ky mësim, siç tha Kurti, është i vlefshëm sidomos tani kur merret parasysh “makro agresionin në botë me pandemi, luftë, autoritarizma në ngritje dhe kriza ekonomike”.

Kurti thotë se gjatë 12 muajve të fundit, Qeveria ka dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në shoqëri.

“Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoratin, i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës”, thotë ai. /Kosova.info/

Go to TOP