Të shtëna me armë zjarri në Lupç, plagosen katër persona

Katër persona janë plagosur të mërkurën rreth orës 16:00 në fshatin Lupç të Podujevës. Njofton Policia e Kosovës. Tre nga të plagosurit, sipas njoftimit, janë nga arma e zjarrit ndërsa njëri nga therja me thikë.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”, ka thënë për RTK-në, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Sipas saj, hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për  ndriçimin e plotë të rastit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Menxhiq afër hekurudhës, ndërsa ende nuk dihen arsyet e kësaj gjuajtjeje

Ekip i RTK-së është edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të marrë vesh se si është gjendja e të plagosurve.  

Aktualisht katër të plagosurit po marrin trajtim në QKUK, ndërsa ende nuk dihet si është gjendja e tyre shëndetësore.

Pranë Klinikës Emergjente në QKUK ndodhet edhe një veturë me xhama të thyer që dyshohet se ka qenë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Go to TOP