Kurti – Ramës: Bashkëpunimi në rajon arrihet duke i zgjidhur problemet në fillim, jo në fund

Kryeminisri Albin Kurti në fillimin e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë foli për sfidat aktuale.

Kurti tha se tani Kosova dhe Shqipëria mund ta lexojnë më qartë gjendjen e krijuar në rajon e botë dhe tha se “përcaktimi ynë është më i thjeshtë”.

“Prandaj, edhe këto mbledhje të qeverisë tingëllojnë më të vërteta e më efektive sesa më parë”, tha ai.

Kurti foli më tej se si duhet të jetë bashkëpunimi rajonal.

“Bashkëpunimi dhe integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha kryeministri.

Besimi social, Kurti tha se luan rol të madh këtu.

“Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimin dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Europian, përderisa edhe anëtarësimi ynë në BE mbetet synimi ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona”, tha ai.

Go to TOP