Kurti mirëpret ambasadoren e re të Holandës, flasin për thellimin e marrëdhënieve bilaterale

Ditën e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin Boven. 

Në këtë takim të parë mes tyre, Kryeministri e uroi për detyrën e re, teksa e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e Holandës ndaj Kosovës në çlirim e zhvillim dhe për mbështetjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Ai shtoi se Kosova synon të bëhet anëtare edhe e BE-së dhe NATO-s duke iu bashkangjitur Holandës dhe shumë shteteve të tjera aleate e partnere. 

Së bashku, kryeministri dhe ambasadorja theksuan marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës dhe Holandës dhe angazhimin për thellimin e forcimin e mëtejmë të tyre. 

Kryeministri Kurti e njohu ambasadoren me progresin socio-ekonomik e demokratik të vendit, i cili është dëshmuar në tri vitet e fundit dhe nga indikatorët, matjet e rankimet pozitive ndërkombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP