Kurti me shoqatën më të madhe gjermane të biznesit mbi mundësitë e investimeve në Kosovë

Me ftesë të Këshillit Ekonomik Wirtschaftsrat der CDU, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, zhvilluan një drekë punë më përfaqësues të kompanive anëtare dhe përfaqësues politikë të nivelit lokal dhe federal. Përgjatë bisedës, kryeministri Kurti, pasi prezantoi mundësitë që Kosova ka në të bërit biznes, ftoi të pranishmit që të vizitojnë vendin tonë për të parë nga afër përparësitë që ka për investimet e huaja.

Wirtschaftsrat der CDU është shoqatë e bizneseve gjermane që përfaqëson interesin e më shumë se 11 mijë kompanive të vogla dhe të mesme, si dhe kompanive multinacionale.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti po ashtu vizitoi Baden-Württemberg Stiftung.  Baden-Württemberg Stiftung u themelua në vitin 2000 si Fondacioni Shtetëror me seli në Shtutgart. Asetet janë rreth 2.3 miliardë euro. Nën moton “Ne dhurojmë të ardhmen”, ajo vë në dispozicion nga 35 deri në 40 milionë euro për programe dhe projekte bamirësie çdo vit, duke e bërë atë një nga fondacionet më të mëdha të së drejtës private në Gjermani. Me të pranishmit aty, kryeministri Kurti diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit me mërgatën tonë në Baden-Württemberg nëpërmjet projekteve në fushën e shkencës dhe edukimit. /Kosova.info/

Go to TOP