Kurti: Mbi 500 milionë euro investime po e shndërrojnë KEK-un në një korporatë moderne dhe të gjelbër
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, falë investimeve që tejkalojnë 500 milionë euro dhe që synojnë modernizimin e plotë të kësaj ndërmarrjeje strategjike sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas Kurtit, modernizimi i turbinave dhe investimet në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtritshme përmes parkut solar, janë projekte kyçe për sigurinë energjetike dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 MW kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 MW kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtrishme duke rritur stabilitetin e sistemit energjetik dhe duke ulur varësinë nga importi.
Kryeministri bëri të ditur se që nga 19 dhjetori i vitit që lamë pas, KEK-u po operon me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të përballuar kërkesën e rritur për energji gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit.
Në këtë kontekst, Kurti falënderoi punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për profesionalizmin e treguar, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen institucionale në realizimin e këtyre projekteve madhore.
“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”, ka theksuar Kurti. /Kosova.info/
