Kurti dhe Hajdari vizitojnë kompaninë “Pro Home Design” në Fushë Kosovë, e cila punëson mbi 60% gra
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, vizituan sot kompaninë e prodhimeve të drurit “Pro Home Desing” në Fushë Kosovë. Vitin që e lamë pas, kjo kompani ka pasur mesatarisht afër 100 punëtorë, prej të cilëve mbi 60% gra. Lëndën e parë e kanë drurin të cilin e sigurojnë në Kosovë.
Në hapësirat e fabrikës dhe sallonit, kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari u mirëpritën nga pronarët, Gazmend dhe Shpresa Kajtazi, të cilët përveç menaxhimit përgatisin edhe dizajnët dhe vizatimet konstruktive të produkteve të tyre.
Së fundmi, kjo kompani prezantoi koleksionin e saj të produkteve të drurit që përfshijnë tavolina, karrige, divane e kabinete në panairin e mobileve “Stokholm Furniture Fair”, ku tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve. /Kosova.info/
