Kurti ankohet në Escobarin e Lajçakun: Të njëanshëm ndaj Kosovës, tolerantë ndaj Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës të enjten u ankua për njëanshmëri ndaj vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe tolerancë ndaj atij që ai e quajti regjimi autoritar i Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se kabineti i tij ka mbajtur qëndrim tjetër. “Ne këmbëngulim se sjellja mirë me një autokrat nuk e bën atë të sillet më mirë. Përkundrazi”, tha ai në një intervistë për AP, transmeton Klankosova.tv.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi – përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak – “vijnë tek ne me kërkesat e palës tjetër”, tha ai.

Lars-Gunnar Wigemark, kreu në largim i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, i njohur si EULEX, tha se gjatë konfrontimit të dhunshëm të javës së kaluar “pati lëndime shumë të rënda te disa ushtarë të KFOR-it”.

“Veçse kishte dhunë të llojit më të keq. Të gjithë thonë se jemi me fat që nuk ka pasur viktima.”

Pasi ushtarët u plagosën javën e kaluar, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.

Wigemark tha se do të vinte koha kur policia civile e EULEX-it, e cila nuk ka më kompetenca ekzekutive, por vetëm “monitorimin dhe udhëzimin e policisë së Kosovës”, nuk do të jetë e nevojshme në Kosovë.

“Por kushtet ende nuk janë pjekur”, tha ai.

Diplomati evropian nuk përjashtoi që NATO-ja mund të marrë vendim që të vendosë “mijëra trupa ushtarake” në Kosovë.

“Nëse situata po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, nëse fillon të përshkallëzohet përsëri, sigurisht, ky është një opsion”.

Kurti këmbënguli se forcat speciale të policisë nuk mund të “zvogëlohen” derisa bandat kriminale serbe ose do të largohen nga vendi ose do të arrestohen. Ai tha se do të kishte paqe në Kosovë nëse nuk do të kishte “urdhra për dhunë nga Beogradi”.

Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor, tha Kurti.

Kurti u ankua se edhe për zgjedhjet e parakohshme të prillit në katër komunat veriore me shumicë serbe, “ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, lehtësuesit evropianë na dështuan”.

Ai tha se ata i kërkuan Kosovës që të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk ushtronin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë për të marrë pjesë në votim.

Kryeministri Kurti tha se do t’i duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur pluralizmin politik në pakicën etnike serbe “për një konkurrencë të ndershme, për një garë demokratike për kryetarët e rinj të bashkive”.

“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit të zgjedhjeve, sepse kështu urdhëron Beogradi”, tha ai.

Wigemark, i cili ka shërbyer edhe në Bosnje-Hercegovinë, tha se ishte jetike që “këto lloj incidentesh të mos lejohen të shpërthejnë, të kalojnë në një lloj konflikti të armatosur”.

“Dialogu i vazhdueshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ky është vendi për të zgjidhur shumicën e çështjeve të pazgjidhura”, tha ai.

Go to TOP