Kurti pret delegacionin e ‘Vespa Club’, flasin për festivalin në shtator
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti në takim një delegacion të “Vespa Fanatics Prishtina”, të prirë nga kryetari i klubit Enis Berkolli, njëherësh kryetar i “Vespa Club Kosova”.
Në takim u diskutua për përgatitjet për organizimin e “Vespa Festival Prishtina 2026”, në kryeqytet, më 5 dhe 6 shtator.
“Përfaqësuesit e klubit treguan se në këtë festival pritet të ketë klube pjesëmarrëse nga më shumë se dhjetë shtete, përshirë: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Turqinë, Greqinë, Italinë, Zvicrën, Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën dhe Meksikën. E po ashtu, personalitete si: Mauro Calestrini, president i Vespa World Club; Marco Manzoli, sekretar i Piaggio Group dhe sekretar i Vespa World Club; Rossella Fugaro, përfaqësuese e Vespa Trophy; dhe, përfaqësues të tjerë të Vespa Club Europa”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.
Pjesë e rëndësishme bisedës ishte aplikimi dhe përgatitja për organizimin e festivalit “European Vespisti Week 2028”, në Kosovë.
Klubi Vespa Fanatics Prishtina ka rreth 120 anëtarë, prej të cilëve më shumë se 30 janë gra. Muajin e kaluar klubi mori pjesë në “European Vespisti Week 2026”, në Ostend, Belgjikë, dhe “Vespa World Days 2026” në Romë, Itali. /Kosova.info/
