Kuçi nga Italia: Suksesi i mërgatës model për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Blerim Kuçi, së bashku me Gëzim Hazrolli, kanë vizituar kompaninë “BTC Costruzioni SRL” në Treviso të Italisë, në pronësi të sipërmarrësit të suksesshëm nga Semetishti i Suharekës, Refki Bytyqi.
Gjatë vizitës, Kuçi theksoi suksesin e kompanisë në sektorin e ndërtimit duke veçuar angazhimin e saj në vendosjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve solare – një fushë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai u shpreh i kënaqur që pa nga afër arritjet e mërgatës shqiptare në biznes duke e cilësuar këtë sukses si një shembull frymëzues për Kosovën.
Kuçi theksoi se institucionet duhet të angazhohen maksimalisht për të krijuar kushte që përvoja dhe investimet e bizneseve të tilla të transferohen edhe në Kosovë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Vizita u zhvillua në kuadër të angazhimeve për forcimin e lidhjeve me diasporën dhe promovimin e investimeve në vend. /Kosova.info/
