Kuçi mobilizon Prizrenin dhe Rahovecin: Bashkë drejt zhvillimit dhe fitores

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, ka vazhduar aktivitetet elektorale me tubime në Prizren dhe Rahovec, ku ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët.

Në Prizren, qytetin që Kuçi e cilësoi si “kryeqytet historik”, ai theksoi rëndësinë simbolike të këtij vendi për historinë kombëtare. Në ambientet pranë Kalasë dhe përgjatë Lumbardhit, ai tha se tubimi shërbeu për të dëgjuar drejtpërdrejt kërkesat e qytetarëve dhe për të prezantuar programin politik të LDK-së. Sipas tij, Prizreni mbetet një pikë referimi për bashkim, dinjitet dhe identitet shtetëror.

Ndërkaq, në Rahovec, Kuçi u shpreh i inkurajuar nga përkrahja dhe pjesëmarrja e qytetarëve duke e cilësuar tubimin si dëshmi të besimit në vizionin e LDK-së. Ai theksoi se prioritetet kryesore mbeten zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, siguria energjetike dhe hapja e perspektivës për të rinjtë.

“Rahoveci gjithmonë ka ditur të qëndrojë në anën e duhur të zhvillimit dhe përgjegjësisë. Bashkë do ta ndërtojmë të ardhmen që e meriton çdo qytetar”, u shpreh Kuçi.

Ai përfundoi duke bërë thirrje për unitet dhe vazhdim të angazhimit drejt, siç tha, një fitoreje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/

Go to TOP