Deda: Nëntë muaj të humbur për të arritur aty ku dihej – zgjedhjet e reja janë të pashmangshme
Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në skenën politike të vendit duke theksuar se nëntë muaj janë humbur kot për të arritur në një rezultat që dihej qysh më 10 shkurt – në 56 vota në Kuvend.
“Nëntë muaj u humbën që të mbërrihej aty ku dihej se ishte prej 10 shkurtit. Kujt ja pat gjithë ky vend borxh të humb kaq shumë për lojërat e këtyre që fitoren e shndërruan në humbje?”, shkroi Deda duke iu referuar krizës politike që, sipas tij, është pasojë e vendimmarrjeve të gabuara dhe mungesës së përgjegjësisë.
Ai kritikoi ashpër qëndrimin e qeverisë duke ironizuar premtimin “Ne do të qeverisim vet!” me fjalët: “Në ëndrra.”
Sipas Dedës, askush nuk do të mbajë përgjegjësi për humbjen e kohës dhe kapitalit politik, ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Zgjedhjet e reja, megjithatë, duhet të jenë për dhënie të llogarisë dhe drejtim të ri. Dhe me kurrfarë propagande nuk mund t’i iket kësaj,” përfundoi Deda duke shtuar se në vende me shoqëri politike racionale ndëshkimi politik do të ishte i pritshëm, por në Kosovë, për fat të keq, “do të funksionojë inati”. /Kosova.info/
