Kryediplomatja e re e BE-së: Do të punoj që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet
Kandidatja për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë një seance dëgjimore të mbajtur të martën, ka shprehur angazhimin e saj për forcimin e sigurisë së bllokut evropian dhe për thellimin e bashkëpunimit me vendet fqinje që ndajnë vlera të përbashkëta dhe kanë aspirata për anëtarësim në BE.
Kjo seancë dëgjimore po zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili ka për detyrë ta konfirmojë Kallasin për këtë pozicion.
Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, është zgjedhur nga shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, dhe nga vendet anëtare të bllokut për të udhëhequr politikën e jashtme të BE-së për pesë vitet e ardhshme.
Në mandatin e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Josep Borrell.
Kallas ka deklaruar se zgjerimi i BE-së kontribuon në forcimin e vetë bllokut dhe vendeve që synojnë anëtarësimin.
Ajo theksoi se forca tërheqëse e BE-së inkurajon reformat dhe përpjekjet drejt integrimit evropian në vendet nga Ballkani Perëndimor deri në Evropën Lindore.
“Së bashku me Komisionaren për Zgjerim, do të punoj me përkushtim për ta bërë zgjerimin realitet“, ka shtuar ajo, duke theksuar se “problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë problemet tona nesër“.
Në Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës, si dhe në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe Turqi, ekzistojnë vende që kanë aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërkohë, Kosova ka bërë një aplikim që ende nuk është shqyrtuar.
Kallas ka nënvizuar rëndësinë e lidhjes së sigurisë së BE-së me NATO-n dhe ka shprehur synimin e saj për të forcuar bashkëpunimin transatlantik.
Ajo identifikoi sfidat kryesore për BE-në dhe aleatët e saj, përfshirë kërcënimet nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, vende që, sipas saj, po sfidojnë rendin ndërkombëtar.
Një ndër prioritetet e saj kryesore do të jetë vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, dhe ka deklaruar se fitorja e Kievit është e domosdoshme për sigurinë e Evropës.
Seancat dëgjimore për 26 anëtarët e Komisionit Evropian do të përfundojnë të martën.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, tashmë është konfirmuar në postin e saj.
Në vijim të ditës do të dëgjohen dëshmitë e katër kandidatëve të propozuar për nënkryetarë ekzekutivë të Komisionit Evropian.
Deri më tani, 20 kandidatë kanë përfunduar seancat dëgjimore dhe të gjithë, përveç kandidatit nga Hungaria, Oliver Varhelyi, kanë marrë mbështetje.
Komisioni përkatës pritet të marrë vendimin për Varhelyin gjatë ditës së martë.
Nëse të gjithë kandidatët miratohen nga komisionet parlamentare, atëherë më 24 ose 25 nëntor, Parlamenti Evropian duhet të konfirmojë Komisionin e ri Evropian, i cili do të nisë mandatin më 1 dhjetor.
