​Kriza politike ka krijuar pasiguri të thellë në komunitetin e biznesit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar të premten diskutimin me temën “Vakumi i zgjatur institucional: Kostoja dhe pasojat për ekonominë”. Shqetësime të mëdha u ngritën lidhur me atë se kriza politike në vend ka krijuar pasiguri të thellë për komunitetin e biznesit, si dhe “ka krijuar rënie të likuiditetit të institucioneve financiare”.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe pas gjashtë muajsh prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Drejtori i OEAK, Arian Zeka, tha se kriza politike ka përkeqësuar shëndetin financiar të bizneseve, teksa përmendi edhe zvogëlimin e investimeve kapitale nga ana e institucioneve publike, si pasojë se qeveria është në detyrë dhe ka mandatin e kufizuar.

Zeka: Kriza politike ka përkeqësuar shëndetin financiar të bizneseve

“Vendi ynë përballet me një zvarritje të tejzgjatur të konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re. Një situatë që përveç që cenon besimin qytetar institucional te partnerët ndërkombëtarë krijon pasiguri të thellë edhe për komunitetin e biznesit dhe sektorin financiar. Çdo ditë marrim informata për sa i përket përkeqësimit të shëndetit financiar të bizneseve dhe rënies së likuiditetit të institucioneve financiare. Ankesat lidhen po ashtu me zvogëlimin e investimeve kapitale nga ana e institucioneve publike në vend. Duke qenë një prej shtyllave kryesore zhvillimore, e cenon edhe rrjedhën e parasë së gatshme dhe shëndetin financiar. Po ashtu ndikon edhe në aspekte të tjera, shpresoj që jo në zvogëlim të vendeve të punës dhe fuqisë blerëse”, tha ai.

Pjesë e panelit diskutues ishte edhe Lorik Fejzullahu nga kompania Eco Park, i cili tha se kriza politike ka bërë që të ketë rënie të shpenzimeve qeveritare. Sipas tij, Kosova, për dallim prej shumë vendeve të tjera të rajonit dhe botës, shpenzimet qeveritare përbëjnë pjesën më të madhe të bruto-produktit vendor.

Madje ai ngriti shqetësimin se nëse vazhdohet kriza politike, dëmet në ekonomi do të jenë më të mëdha në gjashtë muajt e ardhshëm të këtij viti dhe vitin 2026.

Fejzullahu: Ngërçi politik ka bërë që të mos ketë projekte zhvillimore dhe kapitale

“Kosova është shumë specifike nga shumë vende të tjera të rajonit dhe botës, pasi shpenzimet qeveritare përbëjnë pjesën më të madhe të bruto-produktit vendor. Kjo ka stagnuar në këto vite të qeverisjes, tash edhe me ngërçin politik nuk shihen më tej projekte të tjera zhvillimore dhe kapitale. Ju e dini që pesë-gjashtë komuna të mëdha nuk e kanë buxhetin e aprovuar dhe nuk mund të shpenzojnë fonde. Krejt kjo ka filluar të ndihet në ekonomi. Unë besoj se në gjashtë muajt e ardhshëm, madje edhe vitin e ardhshëm do të jetë më i vështirë”, tha ai.

Edhe profesori, Shkumbin Misini, adresoi kritika ndaj spektrit politik për krizën politike dhe dështimin në formimin e institucioneve të reja.

Sipas tij, Kosova po e varfëron veten me import, kurse potencoi mungesën e investimeve të huaja në vend.

Misni: Importi e varfëron vendin

“Ne, shtatëmbëdhjetë milionë euro importojmë gjatë ditës. Ne vetëm e varfërojmë vendin, pasi importi e varfëron Kosovën, ndërkaq eksporti e pasuron atë… Kreditë konsumuese nga viti 2020 deri në vitin 2024 janë rritur për 96 për qind. Investimet e huaja i kemi në rënie”, tha ai.

Kurse, avokati Florin Lata tha se besimi në institucione nuk ka qenë asnjëherë më i ulët edhe për shkak të krizës politike.

Ai tha se vendimmarrja institucionale është paralizuar si pasojë e mungesës së qeverisë legjitime, derisa tha se për investitorët e huaj që janë në Kosovë ekziston rrezik real që të padisin Kosovën në rast të çfarëdo vonese.

Lata: Besimi në institucione nuk ka qenë asnjëherë më i ulët

“Besimi në institucione kurrë nuk ka qenë më i ulët. Pse? Është e natyrshme, pasi çdo 48 orë ka pasur një seancë të Kuvendit dhe të gjithë qytetarët janë detyruar. Pas atyre 48 orëve ka pasur deklarata dhe të gjithë jemi marrë me politikë dhe jemi të pakënaqur me Kuvendin dhe me institucionet e tjera. Besimi tash ka rënë ende më shumë dhe problemi është se shumë vështirë është me ngritë besimin… Kur ti e paralizon vendimmarrjen në çdo institucion të rëndësishëm [për investitorët e huaj] ekziston rreziku real që Kosova të paditet”, theksoi Lata.

Bizneset këtë vit janë përballur edhe me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizim të tregut. Të njëjtat vazhdimisht kanë protestuar në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, që sipas tyre shkakton barrë të rëndë për kompanitë vendore dhe ekonominë e Kosovës. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk mori parasysh asnjëherë kërkesat e komunitetit të biznesit për shtyrje të vendimit. 


Go to TOP