Kosova

Krerët institucionalë me homazhe tek busti në Prishtinë nderojnë veprën e Bob Dole

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë nderuar me kurorë lulesh dhe homazhe senatorin amerikan Robert Dole, i cili vdiq një ditë më parë. 

Në ceremoninë e nderimeve, para bustit të tij në Prishtinë, ishte i pranishëm edhe z.Nicholas Giacobbe, i ngarkuar me punë në Ambasadën Amerikane.

Kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes Dole dhe popullit amerikan dhe e ka çmuar përkrahjen, që senatori Dole i ka dhënë Kosovës në rrugën e lirisë dhe pavarësisë.

Duke e rikujtuar jetën dhe veprën e senatorit, kryeministri tha se Bob Dole pati një jetë të gjatë gati një shekull, por edhe një karrierë të bujshme e shumë të lëvdueshme.

“Qysh në fund të viteve ‘80, ai përveçse patriot i madh amerikan, ishte edhe mik i Kosovës dhe i popullit tonë, i cili në atë kohë përveçse i shtypur dhe i shfrytëzuar, iu nënshtrua edhe një aparteidi pas suprimimit të autonomisë”, tha kryeministri.

Ai veçoi kontributin e senatorit Dole edhe për paqen në Evropë, si luftëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, si veteran i luftës, por edhe si politikan i majave më të larta të institucioneve demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

“Teksa ai prehet i qetë, ne përkulemi para jetës dhe veprës së tij dhe e kujtojmë me vlerësimet më të larta kontributin e senatorit Bob Dole”, tha kryeministri Kurti, pas ceremonisë së nderimeve. /Kosova.info/

Shfaq më shumë