Krasniqi: Diktati i LVV-së rrezikon pluralizmin, jo vetëm demokracinë
Profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj qasjes politike të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) duke paralajmëruar se imponimi i saj ndaj partive të tjera rrezikon vetë thelbin e pluralizmit politik në Kosovë.
“Nëse parti të veçanta si PDK, LDK, AAK apo Nisma duhet të votojnë sipas diktatit të një partie, çfarë kuptimi ka që të ketë disa parti?”, pyet ai duke shtuar se në një situatë të tillë, Kosova do të përfundonte në një sistem me një parti të vetme – një monizëm partiak si ai i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Krasniqi kujton edhe një shembull nga e kaluara për të ilustruar dështimin e qasjes së imponimit. “Diktati nuk kryen punë as në monizëm. LKJ e pati imponuar Vukashin Jokanoviqin për kryetar të Kuvendit, por ai shkoi shpejt në plehun e historisë”, thekson ai duke shtuar se e njëjta rrugë pret çdo përpjekje për dominim autoritar në kushte demokratike.
Përfundimisht, Krasniqi thekson se në demokraci, imponimi bie gjithmonë, dhe ata që e ndjekin atë rrugë, “qatje shkojnë – në plehun e historisë”. /Kosova.info/
