Rama përuron Tunelin e Kurrizit: Transformim i pjesës më ikonike të Kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar sonte projektin e shumëpritur të rigjenerimit të “Tunelit të Kurrizit” duke e cilësuar këtë transformim si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme urbane në zemër të Kryeqytetit.
“Sonte përuruam hapjen e ‘Tunelit të Kurrizit’. Ky është transformimi i pjesës më ikonike të Kryeqytetit. Vazhdojmë!”, shkroi Rama në një postim duke reflektuar entuziazmin dhe përkushtimin për përmirësimin e hapësirave publike.
Ndërhyrja përfshiu: ndriçim të plotë dhe sistem ventilimi për të eliminuar kundërmimin, qasje të sigurt për këmbësorët, tualete publike për përdorim të përditshëm dhe hapësira multifunksionale për ekspozita, tregje javore dhe aktivitete kulturore.
Tuneli, i cili për dekada ishte simbol i neglizhencës, ndotjes dhe pasigurisë, është rikthyer tashmë si një zonë moderne, funksionale dhe e sigurt për qytetarët duke u bërë pjesë e një vizioni më të gjerë për një Prishtinë urbane dhe të jetueshme.
Projekti është pjesë e agjendës së transformimit të hapësirave publike që Rama dhe ekipi i tij po zbatojnë në të gjitha lagjet e qytetit. /Kosova.info/

