Krasniqi: Avni Dehari duhej të kërkonte falje, jo të kryesonte seancën kundërkushtetuese

Albert Krasniqi ka reaguar ndaj mënyrës se si Avni Dehari e ka udhëhequr seancën konstituive të Kuvendit duke thënë se ai të paktën do të duhej ta kishte hapur seancën me një kërkim falje ndaj deputetëve për veprimet e tij kundërkushtetuese.

Sipas Krasniqit, Dehari, sa herë që deputetët i rikujtonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me arrogancë kërkonte nga regjia që t’ua ndalte mikrofonin. Ai thekson se më e natyrshmja do të ishte që Dehari të tërhiqej krejtësisht nga drejtimi i seancës.

“Kryesuesi i seancës imponoi në mënyrë arbitrare një opsion kundërkushtetues, injoroi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një muaj dhe dëshmoi se nuk është në gjendje të veprojë i pavarur nga diktati partiak”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se një kryesues i seancës konstituive duhet të mbrojë rendin kushtetues dhe dinjitetin e Kuvendit, e jo ta cenojë atë. /Kosova.info/

Go to TOP