Krasniqi: Ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në “Marshin për Drejtësi” ka përshëndetur ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, e luftëtarët tjerë, që gjenden në Hagë.

Krasniqi tha se çlirimtarët që gjenden në Hagë janë duke e përcjellë drejtpërdrejtë marshin dhe kërkoi duartrokitje nga të pranishmit.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrish, por një luftë ndërmjet lirisë dhe tiranisë, ndërmjet drejtësisë dhe të padrejtës, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit. Dhe ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj, po! Ne kërkojmë drejtësi, sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë. Por, mbi të gjitha, kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulosë të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.

Ai shtoi se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave.

“Bashkimi jonë rreth një kauzë të drejtë është pikërisht ajo që i duhet më së shumti Kosovës, sepse vetëm kështu siç jemi sot, ia kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën dhe ta kërkojmë të drejtën që na takon. Prandaj, nga zemra, ju jam mirënjohës gjithsecilit prej jush, që me ndërgjegje të lartë patriotike e kombëtare, me vetëdije të lartë qytetare e shtetërore, bashkë me familjet tuaja, jeni sot këtu, për t’ia dhënë një pamje të tillë Kosovës. Kjo pamje, është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, se liria jonë ka emër, dhe se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave. Dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes, do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes, sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë sonë: U Ç K!”, tha Krasniqi.

Go to TOP