Finalja e katërt mes Yllit dhe Trepçës, ‘Xehetarët’ një fitore larg titulli

Të dielën zhvillohet përballja e katërt finale mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës.

Mitrovicasit po udhëheqin 2:1 në serinë finale dhe nëse fitojnë do të shpallen kampionë, ndërkohë që therandasit luajnë për fitore dhe për të barazuar serinë finale në 2:2, në mënyrë që titulli i kampionit të vendoset në Mitrovicë, në ndeshjen e pestë finale.

Në ndeshjen e parë fituan ‘Xehetarët’ 77:68, kurse në sfidën e dytë fituan therandasit 80:79, derisa në përballjen e mbrëmshme fituan mitrovicasit 85:78.

Ylli e kërkon titullin e tretë në histori të klubit, pasi kishte fituar më 2021 dhe 2022, derisa Trepça e kërkon titullin e kampionit pas 12 vjetësh, pasi herën e fundit fituan më 2012, kurse në përgjithësi e kanë fituar titullin katër herë.

Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.

Finalja e katërt mes Yllit dhe Trepçës luhet të dielën prej orës 17:00.

Go to TOP