Zjarret nëpër kompani, të qëllimta apo aksidentale?

Emisioni Udhëve në RTK ka hulumtuar nëse zjarret që po ndodhin nëpër kompani të shumta janë të qëllimta apo aksidentale. Ka shumë argumente që tregojnë se ka dyshime të tilla, derisa organet e drejtësisë ende nuk kanë arritur të përmbyllin suksesshëm një hetim që do të nxirrte një epilog për këtë “sekret publik”.

Mbi 24 milionë euro është vlera e dëmit që kompania Elkos përmes Gjykatës po pretendon t’i marrë kompanisë së sigurimeve Sigma, ku kishin të siguruara asetet.

Në Kompaninë Sigma nuk kanë pranuar të japin përgjigje nëse arsyeja e mos pagesës së dëmshpërblimit lidhet me dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme me qëllim të përfitimit nga sigurimet.

Kjo është tema që sonte ka trajtuar emisioni Udhëve në RTK, e ku kanë folur ekspertë të sigurimeve, përfaqësues të kompanive të dëmtuara dhe nga institucionet e ndjekjes. 

Arsim Selmanmusaj, menaxher në Elkos Group thotë se askush atyre nuk u ka thënë se kanë dyshuar se kanë bërë zjarr të qëllimtë. Derisa ai prezanton edhe dokumentacionin e Prokurorisë përmes të cilit konfirmohet mbyllja e hetimeve për njërin rast të djegies së kompanisë Elkos në Pejë.

Por, biznesmeni nga Podujeva Valon Kastrati thotë një nga arsyet që nuk kishte siguruar subjektin e tij ishte diskutimi që ka marrë përmasa të “sekretit publik”, që edhe nëse digjet një kompani ka vështirësi në realizim të kompensimit shkaku i dyshimeve që pronarët i djegin me qëllim të përfitimit nga sigurimet. “Shumicën e rasteve thonë e ka djegë vet për me i marrë paret prej sigurimit”, thotë biznesmeni Kastrati.

Sipas ekspertit të ekonomisë Amir Tusunin, nga këto djegie janë të ekspozuara edhe kompanitë e Sigurimit por edhe bizneset.

“Kjo është shqetësuese për ekonominë sepse edhe kompanitë  e sigurimit bartin rrezikshmëri, por edhe kompanitë në këto raste mos mbulimi i dëmeve por edhe kompanitë e sigurimeve janë të ekspozuara në këtë rast. Zakonisht kur janë vlerat e siguruara tepër të mëdha atëherë kompanitë vendore nuk munden me bartë rrezikun por ato shkojnë përmes kompanive të treta të sigurimit”, ka thënë Tusuni.

Ndërkohë, kompanitë e sigurimeve në rastet kur klientët e tyre kanë probleme të natyrave të tilla dhe iu ndodhin djegie, qofshin aksidentale, hezitojnë që t’iu ofrojnë kontrata të reja. Njëjtë ka ndodhur edhe mes Sigmës dhe Elkosit, të cilat shpresojnë në një epilog të drejtë gjyqësor në rastin e kontestit midis tyre.

Go to TOP