Krasniqi akuzon Presidenten për ndërhyrje në proceset zgjedhore: Po cenohet rendi kushtetues dhe besueshmëria e institucioneve
Albert Krasniqi nga organizata Demokracy Plus ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Presidentes së vendit duke e akuzuar atë për përfshirje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në proceset zgjedhore dhe politike të vendit. Sipas tij, Presidentja, e cila sipas Kushtetutës është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, po vepron në kundërshtim me rolin e saj kushtetues dhe po e cenon seriozisht rendin kushtetues.
Krasniqi theksoi se faza e parë e ndërhyrjes së Presidentes ka qenë presioni i ushtruar ndaj Gjykatës Kushtetuese për një vendimmarrje politike, gjë që bie ndesh me parimet e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas tij, ky veprim ndikoi drejtpërdrejt në pezullimin e nisjes së dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dëmtuar besueshmërinë e institucioneve të Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë.
Në vijim, Krasniqi akuzon Presidenten për ndërhyrje në rendin kushtetues të formimit të institucioneve, kur ajo i kishte dërguar letra Kryetarit të Kuvendit për krijimin e komisioneve parlamentare-aftësi që Kushtetuta nuk ia njeh. Sipas tij, kjo përbënte një precedencë të rrezikshme, që synonte të mbështeste narrativat politike të partisë në pushtet dhe të ushtronte ndikim të padrejtë në zhvillimet parlamentare.
Reagimi i tij kulmon me kritikat ndaj daljes së fundit publike të Presidentes, ku ajo fajësoi opozitën për bllokimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Krasniqi e konsideron këtë si një thirrje të maskuar për pajtueshmëri të opozitës në shkeljen e Kushtetutës duke tentuar të zhvendosë përgjegjësinë nga ata që e krijuan situatën te ata që refuzuan ta mbështesin atë.
Ai theksoi se Presidentja duhet të përmbahet nga çdo përfshirje në fushatë zgjedhore dhe të kthehet te detyrimet kushtetuese për pjesën e mbetur të mandatit të saj. “Institucionet e shtetit nuk janë instrumente të fushatës politike – veçanërisht kur në krye të tyre është figura që duhet t’i garantojë ato,” përfundon Krasniqi. /Kosova.info/
