KQZ: Numërohen mbi 100 kuti me vota të ardhura nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri sot në orën 10:00 janë numëruar gjithsej 104 kuti që përmbajnë pako me fletëvotime të dyshuara nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe 93 kuti të tjera që lidhen me zgjedhjet për kuvendet komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për RTKlive se “këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.”
Sipas Elezit, nga gjithsej 23 kuti postare janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat më pas janë vlerësuar për vlefshmëri.
“Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja,” ka sqaruar Elezi.
