KQZ: Mbi 95 për qind e vendvotimeve të procesuara

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se fillimisht po numërohen votat nga votimi fizik i mbajtur në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se votimi është zhvilluar më 27 dhjetor 2025 në 29 përfaqësi diplomatike, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.

“Nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar për këtë formë votimi, kanë votuar 16 mijë e 165 qytetarë apo mbi 84 për qind. Pas përfundimit të numërimit të votimit fizik në përfaqësitë diplomatike, do të vazhdojmë me numërimin e votave nga votimi përmes postës”, tha Elezi për RTK-në.

Zëdhënës i KQZ-së ka bërë të ditur se nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, nga të cilat 27 mijë e 600 janë aprovuar për numërim. Mbi 950 pako janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.

“Ndërkohë, procesi i tërheqjes së zarfeve me fletëvotime me postë ende nuk ka përfunduar, ndërsa tërheqjet e fundit pritet të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, shtoi ai.

Sa i përket numërimit brenda vendit, KQZ ka bërë të ditur se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave është duke u zhvilluar në 11 komuna. Deri më tani, janë procesuar mbi 95 për qind e vendvotimeve në nivel vendi, ndërsa 32 komuna kanë përmbyllur plotësisht aktivitetet e numërimit.

Nga KQZ kanë theksuar se po punohet me intensitet për shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.


Go to TOP