Kosova vazhdon me fitore, mposht Bullgarinë dhe kryeson grupin

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitoren e tretë radhazi në kualifikimet për Botërorin 2027, duke forcuar pozitën e parë në Grupin 2 të Ligës C.

Ndeshja ndaj Bullgarisë ka nisur me epërsinë e vendasve, që kanë kaluar në avantazh në minutën e nëntë me golin e Yaneva.

Megjithatë, reagimi i Kosovës ka qenë i shpejtë. Në minutën e pesëmbëdhjetë, Memeti e ka barazuar rezultatin në 1-1.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Smaili ka realizuar për përmbysjen, duke kaluar Kosovën në epërsi 1-2.

Fitorja është vulosur në minutat e fundit të ndeshjes, kur Fejza e ka shënuar golin e tretë për rezultatin përfundimtar 1-3.

Me këtë fitore, Kosova kryeson Grupin 2 me nëntë pikë, gjashtë më shumë se Kroacia dhe Bullgaria, që renditen në vendin e dytë dhe të tretë.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë do të zhvillohet më 18 prill 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:00.

Go to TOP