Kosova në Zgjedhje/ Dominimi i Vetëvendosjes dhe garat e partive kryesore
Shkruan: Emanuel DEMAJ
Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, skena politike në Kosovë po përjeton një dinamikë të paprecedentë, ku ndryshimet brenda subjekteve kryesore politike kanë sjellë jo vetëm tronditje, por edhe dilema për të ardhmen e tyre elektorale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po përballet me sfida të mëdha, të cilat kanë buruar kryesisht nga vendimet e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku. Largimi i figurave me peshë si Agim Veliu, Skender Hyseni, Lutfi Zharku dhe të tjerë ka ngjallur pakënaqësi të shumta brenda dhe jashtë partisë. Vendimi për të përfshirë kandidatë më pak të njohur, si Lumbardhi nga Big Brother, ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë e Abdixhikut për të fituar zgjedhjet.
Këto ndryshime kanë lënë të kuptohet se Abdixhiku synon të transformojë LDK-në, por këto përpjekje deri tani duket se kanë rezultuar më shumë në përçarje sesa në reformim të suksesshëm. Analistët politikë paralajmërojnë se ky kurs i ndjekur mund ta ulë LDK-në në nivelin e partisë së tretë, një pozicion i paprecedentë për një subjekt politik që dikur ishte themeli i politikës kosovare.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nën udhëheqjen e të parit në listë Bedri Hamzës, po shfaq një qasje të kundërt. Me mobilizimin e figurave të njohura dhe rikthimin e strukturave të fuqishme lokale, PDK po ndërton një bazë të fortë për të kapur pozitën e partisë së dytë. Kjo strategji duket se po funksionon, duke pasur parasysh destabilitetin brenda LDK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka lidhur një koalicion parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate, do të përpiqet të ruajë elektoratin e saj besnik. Ky subjekt politik gëzon një bazë të qëndrueshme votuesish në Dukagjin dhe një ndikim të fortë në nivel lokal duke udhëhequr shumicën e komunave në Kosovë. Ky koalicion synon të forcojë pozitat e AAK-së dhe të konsolidojë mbështetjen në zonat ku ka pasur tradicionalisht një prani të fuqishme politike.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, është duke e ruajtur epërsinë në skenën politike. Me një mbështetje të qëndrueshme dhe mungesën e një sfide të fuqishme nga opozita, Vetëvendosja pritet të fitojë përsëri bindshëm. Përvoja e partive tjera në mosartikulimin e një opozite të fortë ka bërë që Vetëvendosja të mbetet zgjedhja kryesore për shumë votues.
Ndryshimet e brendshme brenda LDK-së dhe PDK-së janë një tregues i qartë se si partitë në Kosovë po përpiqen të pozicionohen përballë një elektorati të luhatshëm. Megjithatë, përçarjet në LDK dhe konsolidimi i PDK-së mund të forcojnë pozitën e Vetëvendosjes, duke i siguruar asaj një tjetër fitore bindëse.
Këto zgjedhje do të jenë jo vetëm një test për reformat brenda partive, por edhe një referendum mbi liderët e tyre aktualë. Për LDK-në, rezultati i dobët mund të sinjalizojë fundin e Abdixhikut si kryetar, ndërsa për PDK-në dhe Vetëvendosjen, ky proces mund të jetë një pikënisje për epoka të reja politike.
