Kosova ndalon përkohësisht importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria për shkak të përhapjes së sëmundjes PPR
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka ndryshuar masën ndaluese të mëparshme për importin e ruminantëve të vegjël, konkretisht deleve dhe dhive duke e zgjeruar ndalimin për të përfshirë tërë territorin e Shqipërisë. Ky vendim vjen pas rivlerësimit të situatës epidemiologjike dhe raportimeve për konfirmimin e rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në rajone të ndryshme të Shqipërisë.
Masa kufizuese ka për qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse virale, e cila prek kryesisht delet dhe dhitë. Përveç ndalimit të importit, AUV ka kërkuar që komunat e Kosovës përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë, përmes drejtorive komunale për Bujqësi, të vendosin masa të rrepta kufizuese për lëvizjen e bagëtive të imta në kullotat kufitare.
Fermerëve të cilët mbajnë dele dhe dhi u bëhet thirrje që të mbajnë bagëtitë nën mbikëqyrje të rreptë dhe të shmangin çdo kontakt të kopeve të tyre me ato të fermerëve nga Shqipëria.
Sëmundja PPR është shumë ngjitëse dhe përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, përmes sekrecioneve dhe jashtëqitjeve. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Ajo nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Autoritetet kufitare të Kosovës do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat hyrëse dhe zonat e brezit kufitar për të parandaluar futjen e sëmundjes në vend. AUV, në koordinim me institucionet relevante, do të ndjekë nga afër situatën dhe do të ndërmarrë masa shtesë preventive sipas nevojës. Gjithashtu, fermerët dhe publiku do të informohen rregullisht për çdo zhvillim të ri. /Kosova.info/
