Kosova ndalon përkohësisht importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut pas rasteve me “Gjuhën e Kaltër”
Pas konfirmimit të rasteve të para me sëmundjen virale të kafshëve “Gjuha e Kaltër” në Maqedoninë e Veriut, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka vendosur sot një masë ndalese të përkohshme për importin e ruminantëve të vegjël – dele dhe dhi – nga ky shtet fqinj.
Kjo masë ka për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës dhe ruajtjen e shëndetit të tufave vendore, veçanërisht në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut. AUV ka kërkuar vigjilencë të shtuar nga të gjithë fermerët duke i apeluar ata që:
Të mbajnë nën mbikëqyrje tufat që kullosin në brezin kufitar;
Të shmangin çdo kontakt me kafshë të ardhura nga Maqedonia e Veriut;
Të respektojnë rreptësishtë masat kufizuese të lëvizjes së bagëtive të imta në kullotat afër kufirit;
Të raportojnë çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve te veterinarët lokalë.
Sipas AUV-së, sëmundja e “Gjuhës së Kaltër” është një sëmundje virusale jo ngjitëse, e cila transmetohet vetëm përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides. Preken ruminantët shtëpiak – gjedhi, delet dhe dhitë – por më të ndjeshme ndaj sëmundjes janë delet. Shenjat klinike dhe ngordhjet paraqiten kryesisht te delet, ndërsa gjedhi mund të jetë bartës i virusit pa shfaqur simptoma.
AUV thekson se sëmundja nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, pasi nuk transmetohet as nga kafsha te njeriu, e as nga kafsha në kafshë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Për shkak se aktualisht në dy vendet fqinje – Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri – janë prezentë dy sëmundje të ndryshme që prekin të njëjtat lloje kafshësh (dele dhe dhi), AUV u bën thirrje fermerëve të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet veterinare.
Agjencia ka bërë të ditur se është mobilizuar për të monitoruar zbatimin e masave të vendosura, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të garantuar sigurinë e kafshëve dhe të zinxhirit ushqimor në vend. /Kosova.info/
