Kosova me veturat më të vjetra në Evropë – Agron Demi kërkon ndryshim të politikave të importit

Kosova vazhdon të ketë një nga flotat më të vjetra të veturave në Evropë, një problem që ka mbetur i pandryshuar për më shumë se 12 vjet, pavarësisht rritjes së standardit të jetesës, sipas analistit Agron Demi.

Demi vë në pah se, ndonëse të dhënat zyrtare tregojnë përmirësim ekonomik, mosha mesatare e veturave në Kosovë nuk ka shënuar asnjë progres. Sipas tij, shkaku kryesor i kësaj situate është politika fiskale e qeverive të deritanishme, të cilat kanë mbushur buxhetin përmes taksave të larta të zhdoganimit dhe akcizës mbi automjetet, në vend që të lehtësonin importin e veturave më të reja dhe më ekologjike.

“Qeveritë kanë zgjedhur të mbledhin të ardhura nga taksat e makinave të vjetra, e më pas ato para t’i shpërndajnë me masa të përkohshme sociale ose t’i investojnë në rrugë të reja. Por çfarë vlere kanë rrugët moderne, nëse mbi to qarkullojnë vetura të amortizuara dhe të rrezikshme?”, ka shkruar ai.

Demi propozon ndryshimin e politikave të importit, duke subvencionuar makinat e reja që ndotin më pak ajrin dhe rrisin sigurinë rrugore. Sipas tij, një reformë e tillë jo vetëm që do të përmirësonte cilësinë e ajrit dhe sigurinë në trafik, por do të reduktonte edhe shpenzimet shtetërore për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja dhe aksidentet. /Kosova.info/


Go to TOP