Kosova heq tarifën 10% për mallrat amerikane – Realizohet kërkesa e AKB-së për partneritet më të fortë me SHBA-në
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për heqjen e tarifës doganore prej 10% ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një hap i rëndësishëm ekonomik që përmbush kërkesën e hershme të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).
Kjo kërkesë u bë për herë të parë më 12 prill 2025 nga AKB, me qëllim të forcimit të partneritetit ekonomik me SHBA-në dhe krijimit të kushteve më të favorshme për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik në vend.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, e përshëndeti këtë vendim të Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e tij strategjike për ekonominë e Kosovës:
“Ky është një hap i vonuar por i domosdoshëm. Heqja e tarifës për mallrat amerikane do të lehtësojë qasjen e bizneseve tona në produkte cilësore dhe do të nxisë më tej bashkëpunimin ekonomik dhe miqësinë me SHBA-në.”
Sipas AKB-së, kjo masë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostos për prodhuesit dhe konsumatorët në Kosovë, duke forcuar njëkohësisht pozitën e vendit si partner i besueshëm i SHBA-së në rajon.
Aleanca rithekson angazhimin e saj për të qenë zë i fuqishëm i biznesit vendor dhe për të mbështetur çdo politikë që kontribuon në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së investimeve në Kosovë. /Kosova.info/
