Kosova do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Kosova do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor.

Lajmin e ka njoftuar përmes një shkrimi të bërë në rrjete sociale, gjegjësisht Facebook.

Ai tutje theksoi se Muzeu i Artit Bashkëkohor është institucion i rëndësishëm që do të ofrojë mundësi të reja për artin dhe artistët në tërësi.

Foto: Screenshot/Facebook

Postimi i plotë i ministrit Çeku (pa ndërhyrje):

“Sot e nisëm edhe një ndërmarrje të madhe në kulturë, shteti ynë do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor

Muzeu i Artit Bashkëkohor është institucion i rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë. Në të njëjtën kohë, MAB do të konceptohet në atë mënyrë që të fuqizojë lidhjet tona dhe pozicionin tonë shtetëror në skenën botërore të artit.

Këshilli Inicues i Muzeut të Artit Bashkëkohor përbëhet nga artistë e profesionistë të dëshmuar. KI do të kryesohet nga Yll Rugova, ndërsa anëtarët e tjerë janë Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Hoxha Salihu, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi.

Detyrat e Këshillit Inicues përfshijnë përgatitjen e konceptit programor dhe artistik, vendimeve për themelim, planit për ngritjen e strukturave të përhershme, konceptit hapësinor dhe arkitektonik të ndërtesës dhe kornizës për koleksionin e Muzeut të Artit Bashkëkohor”. 

Go to TOP