Koreja e Veriut lëshon raketë të re balistike e dizajnuar ta kërcënojnë SHBA-në

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të re balistike ndërkontinentale të enjten, duke kryer testimin e parë pas afro një viti të një arme të projektuar për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara.

Ky testim ndodhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, urdhëroi testimin dhe ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes. Ai e përshkroi këtë veprim si një “masë të drejtë ushtarake” për të treguar vendosmërinë e Koresë së Veriut në përballjen me kërcënimet e armiqve që rrezikojnë sigurinë e vendit, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia e klasifikuan raketën si një ICBM dhe e dënuan lëshimin e saj, duke thënë se kjo veprimtari rrit tensionet.

Koreja e Veriut e konfirmoi testin disa orë pasi fqinjët e saj raportuan lëshimin, duke deklaruar se bëhej fjalë për një raketë të re, më të shpejtë, që synon SHBA-në.

Kim theksoi se “DPRK-ja nuk do të ndryshojë asnjëherë qëndrimin e saj për të forcuar forcat bërthamore”, duke përdorur emrin zyrtar të Koresë së Veriut.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) vlerësuan se Koreja e Veriut mund të ketë testuar një raketë të re balistike me rreze të gjatë veprimi dhe me karburant të ngurtë. Raketat me karburant të ngurtë janë më të lehta për t’u transportuar dhe maskuar dhe mund të lëshohen më shpejt se ato me karburant të lëngshëm.

Zëdhënësi i JCS, Lee Sung Joon, deklaroi se ky lëshim mund të jetë bërë për të përforcuar pozicionin e Koresë së Veriut në negociatat e ardhshme, dhe mund të jetë kohëzuar për të ndikuar zgjedhjet në SHBA.

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Gen Nakatani, njoftoi gazetarët se koha e fluturimit të raketës, që zgjati 86 minuta, dhe lartësia maksimale prej më shumë se 7.000 kilometrash e tejkaluan të dhënat e testeve të mëparshme.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sean Savett, e cilësoi këtë veprim si “shkelje flagrante” të rezolutave të OKB-së, duke thënë se ai “rrit tensionet dhe rrezikon stabilitetin e rajonit”.

Savett shtoi se SHBA-ja do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e territorit amerikan dhe të aleatëve të saj, Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Koreja e Jugut dhe Japonia e dënuan këtë lëshim, duke e konsideruar si një kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe theksuan se po bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-në lidhur me këtë test të fundit të armëve të Koresë së Veriut.

Lee njoftoi se Koreja e Jugut dhe SHBA-ja planifikojnë të zhvillojnë stërvitje ushtarake dypalëshe dhe trepalëshe me Japoninë si një përgjigje ndaj kërcënimeve nga Koreja e Veriut.

Go to TOP