Konfirmohet arrestimi i disa personave në aksionin e policisë në Karaçevë
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit është duke zhvilluar një aksion në Karaçevë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani dhe zëdhënësi i policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hashani ka thënë se disa persona janë arrestuar gjatë këtij aksioni, ndonëse është shprehur se nuk ka informacione për numrin e saktë të të arrestuarve.
Tutje ai ka treguar se janë rrënuar edhe disa objekte të rindërtuara të kazinove.
“Ka të arrestuar, për momentin nuk e di se sa. Ne ende jemi në vend të ngjarjes, ku edhe janë rrënu objektet e rindërtuara. Aksioni është në progres dhe shumë shpejt do të dalim me informata më të zgjeruara”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj ka thënë për Express se deri më tani në këtë zonë janë rrënuar tri kazino të ndërtuara në mënyrë ilegale.
Rrahimaj ka deklaruar se aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe aty ka asistuar edhe komuna.
“Aksioni ka qenë i koordinuar mes organeve të drejtësisë dhe kemi qenë të njoftuar për këtë aksion. Kazinot që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar. Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara. Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar si dhe komuna ka asistuar në rastin e rrënimit”.