Shoqata e Prodhuesve të Qumështit kërkon rikthimin e grumbullimit të qumështit dhe i bën thirrje “Vita”-s të rifillojë pranimin nga nesër
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në sektorin e qumështit duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi në grumbullimin e qumështit dhe me ulje të çmimit të blerjes.
Në një deklaratë për opinion, SHPQK kërkon që të grumbullohet çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë dhe që çmimi i grumbullimit të rikthehet në nivelin që ishte para zhvillimeve të fundit. Shoqata vlerëson se fermerët nuk duhet të jenë viktima të kësaj situate dhe bën thirrje për bashkëpunim mes fermerëve, industrisë së përpunimit dhe institucioneve.
Po ashtu, SHPQK mbështet inspektimet dhe zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, por kërkon që kontrollet të jenë të vazhdueshme, profesionale dhe të barabarta për të gjithë operatorët e sektorit.
Në mesin e kërkesave drejtuar institucioneve janë forcimi i kontrollit ndaj produkteve të importuara, masa antidamping për qumështin UHT dhe produktet e importuara, përparësi për produktet vendore në furnizimet publike, si dhe krijimi i mekanizmave ligjorë për mbështetjen e prodhimit vendor.
Në fund të reagimit, Shoqata i bën thirrje kompanisë “Vita” që nga dita e nesërme të rifillojë grumbullimin e qumështit nga fermerët duke shprehur besimin se situata do të stabilizohet shpejt dhe bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë në interes të gjithë sektorit të qumështit. /Kosova.info/
