Komandanti i FSK-së priti ekipin e ISG-së nga SHBA

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim ekipin e International Security Governance (ISG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët po qëndrojnë në vizitë të rregullt në Kosovë me rastin e ushtrimit në tavolinë për logjistikë (Top Table Exercise – TTXLOG), njofton Kosova.info.

Gjatë takimit, Jashari uroi mirëseardhje ekipit amerikan dhe i njoftoi ata për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të FSK-së, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të ISG-së ndër vite në procesin e zhvillimit dhe profesionalizimit të Forcës.

Në takim u diskutua për mbështetjen e ISG-së në realizimin e TTXLOG dhe për rëndësinë që ky ushtrim ka në fushën e logjistikës, e cila mbetet një ndër prioritetet kryesore të FSK-së. Sipas Jasharit, rezultatet e ushtrimit do të analizohen në të gjitha nivelet dhe do të zbatohen në praktikat e përditshme të Forcës.

Ekipi i ISG-së, i cili ka rol këshillues në këtë ushtrim, po kontribuon në zbatimin e procedurave logjistike sipas standardeve më të larta profesionale. Ata janë ndër aktorët kyç që kanë ndihmuar ndërtimin dhe tranzicionin e FSK-së drejt standardeve të ushtrive të NATO-s./Kosova.info/


Go to TOP