Koloneli i FSK-së diplomon në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Washington

Pas studimeve njëvjeçare, kolonel Ismajl Brahimi ka diplomuar me sukses të lartë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, në Fort McNair, Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në rrjetet sociale.

Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare është institucioni më i avancuar i edukimit të liderëve strategjikë, që funksionon nën autoritetin e kryesuesit të Shefave të Përbashkët të Shtabeve, si autoriteti më i lartë ushtarak në SHBA.

Kolonel Brahimi është oficeri i parë nga Kosova që ka ndjekur programin në Kolegjin Kombëtar të Luftës, i cili për mision ka të edukojë drejtuesit e ardhshëm të Forcave të Armatosura, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera civile, duke kryer një studim të nivelit të lartë në strategjinë e sigurisë kombëtare.

Paralelisht me diplomën e edukimit profesional ushtarak, kolonel Brahimi ka diplomuar edhe në gradën Master në Shkencat e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

Në ceremoninë e veçantë diplomën e pranoi nga kryesuesi i Shefave të Përbashkët të Shtabeve, General Mark A. Milley, i shoqëruar nga presidenti i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, gjenerallejtënant Michael Plein, si dhe gjeneral brigade Jeff Hurlbert, komandant i Kolegjit Kombëtar të Luftës.

Ky shkollim është mundësuar me mbështetjen e Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Go to TOP