KMDLNj dënon kërcënimin ndaj Presidentes Osmani: Kërkohet veprim urgjent nga Policia e Kosovës

Sipas mediave dhe konfirmimeve nga Zyra për Media e Presidencës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një kërcënim përmes postës elektronike nga persona ende të paidentifikuar. Përmbajtja e mesazhit, ndonëse me paqartësi në formulim, nuk lidhet drejtpërdrejt me detyrimet kushtetuese të Presidentes, por mbart një ton të rrezikshëm kërcënues.

Kërcënimi vjen në një periudhë të tensionuar politike në vend, ku raportet ndërpartiake janë përkeqësuar ndjeshëm. Në këtë klimë të polarizuar, përdorimi i kërcënimeve si mjet për të arritur qëllime politike është bërë gjithnjë e më i zakonshëm. Përveç liderëve politikë dhe figurave publike, cak i vazhdueshëm i sulmeve dhe kërcënimeve kanë qenë edhe gazetarët, ndërsa dënimet për këto vepra vazhdojnë të mbeten thuajse simbolike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar duke dënuar ashpër kërcënimin ndaj Presidentes Osmani. Ky institucion kërkon nga Policia e Kosovës që të trajtojë këtë rast dhe raste të ngjashme me urgjencë, me qëllim parandalimin e pasojave më të rënda.

“Kërcënimi ndaj Presidentes nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por ndaj institucionit më të lartë të vendit. Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe përvojë të mjaftueshme për të hetuar dhe arrestuar autorët e këtyre veprave, dhe presim që kërcënuesi të sillet para drejtësisë sa më parë,” thuhet në reagimin e KMDLNj.

Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë detaje shtesë për hetimet, por burime nga organet e sigurisë bëjnë të ditur se rasti është marrë me seriozitet të plotë. /Kosova.info/


Go to TOP