Osmani thërret ambasadorët në presidencë, ua bën me dije se Kosova i kundërshton kërkesat e reja për viza

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar kërkesën e re të Francës, të mbështetura nga disa shtetet e tjera, që vendimi i liberalizimit të vizave të kushtëzohet deri në funksionalizimin e sistemit të sigurisë ETIAS, që parashihet të ndodhë në fund të 2023-ës.
Një gjë e tillë u bë e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga ana e Zyrës së Presidencës, duke thënë se Osmani në takim priti përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.

“Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave”, vijon ndër të tjera komunikata.

Tutje, sipas komunikatës, Osmani e ka shënjuar gjashtë-mujorëshin e presidencës çeke si afat të fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndryshe, sipas Osmanit, çdo vonesë do të ishte diskriminim për qytetarët e Kosovës.

Go to TOP