Gazetari Hoxha tregon gabimin që bëri Shqipëria gjatë kohës sa Dick Marty akuzonte UÇK-në
Gazetari hulumtues nga Shqipëria, Artan Hoxha, ka folur sot për akuzat e ish-senatorit zviceran Dick Marty ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hoxha ka thënë se pas luftës në Kosovë ishte interesuar personalisht për të hulumtuar rreth dyshimeve të ngritura, ku kishte bashkëpunuar edhe me hulumtues të huaj të cilët financoheshin me mijëra euro për të faktuar dyshimet e ngritura.
Gazetari shqiptar ka thënë se edhe pas një kohe hulumtimi në tri lokacione të dyshimta, kishte ardhur në përfundim që të gjitha akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga shërbime, siç thotë Hoxha, të Serbisë dhe Rusisë.
Ai ka thënë se Shqipëria në atë kohë si një shtet i pavarur kishte bërë gabim të madh duke mos reaguar ndaj këtyre “fabrikimeve”.
“Unë u tërhoqa, sepse e pashë që nuk kishte asgjë aty. Ishin total sajesë e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, por Shqipëria që në atë kohë ishte shtet i pavarur nuk reagoi. Ishte dashur të reagonte fort që të mbronte UÇK-në nga këto akuza të fabrikuara. Tani ja ku jemi, në një situatë kur ata që ishin në drejtim të luftës në Kosovë, gjenden duke u gjykuar në Hagë, që së paku mendoj se nëse kanë pasur përgjegjësi, dhe kanë pasur pasi që kanë qenë në drejtim të ushtrisë, për mua do të duhej të gjykohesh vetëm dhe vetëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Hoxha në T7.
Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë në pritje të gjykimit në Gjykatën Speciale nën dyshimet për krime lufte.
