“Dimal zeza”, reagimet e shumta ndaj deputetit të VV-së pas debatit me Rrahman Jasharajn
Debati mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ishte sot një ndër videot që u bë virale gjatë ditës.
Kjo pasi deputeti Basha kishte vazhduar polemikat me Jasharajn në korridoret e Kuvendit të Kosovës, pasi ishte ndërprerë mbledhja e Komisionit Parlamentar ku po flitej për grevën në arsim.
E pasi Jasharaj lëshoi mbledhjen, Basha vazhdoi polemikat me të në korridor, duke krahasuar kohën kur mësimdhënësit para luftës kishin punuar pa paga nën regjimin serb, me kohët e sotme kur mësimdhënësit po kërkojnë paga më dinjitoze.
Fjalori i Bashës ndaj Jasharajt dhe paralelet që ai ngriti nxitën reagime të shumta në opinionin publik.
Gazetari dhe publicisti Berat Buzhala në një reagim në Facebook e ka cilësuar fjalorin e deputetit të VV-së si të “turpshëm”.
“Per turpin e tij, nje djale i ri rreth te 30’ve, i bertitike nja 70 vjecarit. Nje 70 vjecari qe per nje dekade ka sakrifiku, duke punu edhe pa pare, edhe duke hanger dajak prej policise. Fakti qe ai njehere ka punu pa pare, sipas Dimalit eshte argument i forte qe Rrahmani me vazhdu me punu pa pare, ose me pak pare. Ne vend qe me e falenderu Rrahmanin per kontributin e tij, Dimali, kur e mori pergjigjen prej tij ia bojke “eeee”, demek te nxuna, a po e sheh qe po e di qe ke punu pa pare”, thuhej në reagimin e Buzhalës.
Ai ka deklaruar se deputeti Basha merr çdo muaj nga 1000-2000 euro nga buxheti i Kosovës, ndërsa kurrë në jetën e tij nuk e ka bërë sakrificën e Jasharajt për të punuar pa pagë për shtet.
Sjelljen e Bashës e ka kritikuar edhe njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj, i cili i ka përmendur deputetit në fjalë edhe një herë suksesin e tij shkollor që i ishte publikuar në media javë më parë, e që ishte i dobët.
“Nese ke qene nxenes i dobet ne shkolle fillore e te mesme dhe njekohesisht bandit, gjasat e mira jane qe te mbetesh i njejte edhe kur te rritesh, pa marre parasysh nese merr ndonje diplome faktulteti. Ky perfaqesuesi i popullit, pos ne shkolle te mesme, po tregohet i dobet, i paedukate e me plot probleme bazike te miresjelljes edhe tash”, ka shkruar ndër të tjerash Zogaj.
“Dimal zeza”, ka qenë reagimi i shkurtë i avokates Flutura Kusari për situatën e krijuar mes Bashës dhe Jasharajt.
Kujtojmë se në debatin e sotëm në korridorin e Kuvendit, deputeti i VV-së i është drejtuar Jasharajt me fjalët “A ke punu para luftës pa pare?” dhe pasi Jasharaj ia pohon pyetjen, Basha i drejtohet me pyetjen “E tash për 50 euro po na i mbanë fëmijët peng a?”, duke krahasuar kështu kohën para luftës në Kosovë kur mësimdhënësit nën regjimin serb ishin detyruar të japin mësim fshehurazi pushtetit të atëhershëm me kohën e 14 vite pas Pavarësisë së Kosovës.
