Kica Xhelili: Mandatim pa numra nuk ka, çdo hap tjetër është sabotim i Kushtetutës
Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Vetëvendosjes për sigurimin e shumicës parlamentare duke theksuar se pa 61 vota të sigurta, nuk mund të ketë mandatim të ri për formimin e qeverisë.
“Mandatim pa numra nuk ka. Nëse Presidentja i beson pretendimit të VV-së për 61 vota, le t’i kërkojë publikisht listën e nënshkruar të deputetëve shtesë që nuk kanë votuar herën e kaluar,” ka deklaruar Kica Xhelili.
Ajo ka theksuar se shumica është detyrim kushtetues, jo opsion, dhe se në mungesë të saj, Kushtetuta përcakton qartë shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda 45 ditëve.
“Sovraniteti i votës nuk mund të shkelet për të shpërblyer 8 muaj mashtrim publik për numra që s’ekzistuan kurrë. Qytetarët meritojnë qeverisje, jo teatër demagogësh me sejmenë e servilë,” ka përfunduar ajo. /Kosova.info/
