Kica-Xhelili akuzon VV-në për korrupsion: e majta flet për të djathtën, ndërsa keqpërdor pushtetin
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka shpërthyer me akuza të ashpra kundër Lëvizjes Vetëvendosje (VV) duke e akuzuar, për një sërë skandalesh korrupsioni dhe keqpërdorimi të pushtetit. Në një postim publik, ajo ironizoi qeverisjen aktuale, duke thënë se në “universin paralel të VV-së, e majta flet për të djathtën, ndërsa korrupsioni është bërë mjet veprimi.”
Kica-Xhelili ka kritikuar ashpër drejtuesit e VV-së për: Komunikime të dyshimta për tenderët e KEK-ut me persona të afërt me pushtetin; Lidhjen e kontratave me vlerë 270 milionë euro nën tavolinë; Ndryshimin e rregullave për interesat familjare nga ministrat e qeverisë; Ministrat e akuzuar për korrupsion dhe deputetët që, sipas saj, kanë montuar procese punësimi për përfitime personale; Përdorimin e fondeve publike nga “Martini dhe miqtë e tjerë të Albinit.”
Deputetja e LDK-së gjithashtu hodhi akuza të drejtpërdrejta për përpjekjet e VV-së për të anashkaluar debatet rreth këtyre çështjeve, duke kritikuar narrativën se LDK nuk është një parti e djathtë.
Ajo theksoi se LDK është e vetmja parti politike nga Kosova anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), duke nënvizuar pozicionin e saj të djathtë.
Në përfundim, Kica-Xhelili paralajmëroi se populli do të kërkojë llogari për të gjitha këto veprime, dhe se qytetarët, që janë nënvlerësuar nga VV, do të sjellin ndryshimin që vendi ka nevojë.
Ajo premtoi se LDK do ta luftojë korrupsionin, duke filluar nga qeverisja aktuale e VV-së. /Kosova.info/
