KFOR-i stërvitet për neutralizimin e dronëve: Ushtarët gjermanë testojnë sistemet WINGMAN dhe HP-47
Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale-Lindje e KFOR-it kanë zhvilluar së fundmi një stërvitje të dedikuar, e cila synon të rrisë aftësinë e tyre për të zbuluar, gjurmuar dhe neutralizuar dronët – një aftësi që po bëhet gjithnjë e më kritike në mjedisin aktual të sigurisë.
Ushtrimi u përqendrua kryesisht në përdorimin e sistemit WINGMAN, që shërben për identifikimin e dronëve dhe gjurmimin e operatorëve të tyre, si dhe në HP-47, një pajisje e projektuar për të kapur dhe çaktivizuar mjetet ajrore pa pilot (UAV).
Sipas KFOR-it, stërvitje të tilla jo vetëm që rrisin aftësitë teknike individuale të ushtarëve, por gjithashtu theksojnë rëndësinë e koordinimit, punës në grup dhe përshtatshmërisë në kundërshtimin e kërcënimeve ajrore të reja.
“Kjo ekspertizë unike zgjeron fushën e misionit të KFOR-it duke rritur kapacitetin tonë për të përballuar sfidat në rritje të sigurisë”, thuhet në një njoftim të misionit.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Në këtë kuadër, misioni bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet përkatëse si reagues të sigurisë. /Kosova.info/
