Hamiti: Kurti e VV nuk festuan pavarësinë më 2008, sot flasin në emër të saj

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku ai e cilësoi shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 si akt historik të Kuvendit të Kosovës.

Hamiti kujtoi se atë kohë Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishin festuar shpalljen e pavarësisë, ndryshe nga gjithë qytetarët e Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë.

“Nuk kanë pasur për çka të festojnë, kanë thënë aktivistët e VV-së atë ditë”, shkroi Hamiti duke cituar një deklaratë të Glauk Konjufcës të botuar në Koha Ditore më 18 shkurt 2008, ku thuhej se “të paktë janë ata qytetarë që e dinë se çfarë është kjo që po festojnë”.

Hamiti shtoi se Vetëvendosje në atë kohë ishte zëri kundërshtues ndaj pavarësisë së shpallur më 2008, duke mos qenë e kënaqur me zgjidhjen e arritur për Kosovën. “Këta që nuk e kanë dashur as festuar pavarësinë e Kosovës, tash janë në pushtet në Kosovën e pavarur dhe sovrane”, përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP