KFOR-i dënon ashpër sulmet në veri, ofrojnë mbështetje për Policinë e Kosovës

Misioni i KFOR-it ka dënuar ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pas katër sulmeve të vazhdueshme ndaj policëve të Kosovës në tri ditët e fundit, nga KFOR-i kanë deklaruar se dënojnë këto sulme, teksa konfirmojnë gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar.”, thuhet në përgjigjet e dhëna.

Tutje u theksua se presin që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktivitet, e që të përmbahen nga veprimet nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshëm situatën.

“Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktive, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.”, thuhet poashtu në përgjigjen e KFOR-it.

Përpos kësaj, nga KFOR është thënë se mbeten plotësisht të fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe që të mundësojnë lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë.

“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.”.

Duhet përkujtuar që në një konferencë për media të mbajtur sot, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë bërë të ditur se zyrtarët policorë të Kosovë në veri janë sulmuar për katër herë radhazi në veri të vendit.

Në detaje e sipër është thënë se sulmet janë shkaktuar si fillim me gurë, më pas duke vendosur iriqë metalikë përgjatë rrugës që të pengojnë automjetet e policëve në lëvizje. Por duke mos përfunduar me kaq, grupe të organizuara siç i kanë quajtur ata kanë sulmuar më pas policët me granata ushtarake si dhe mëngjesin e sotëm dhe me armë zjarri të llojit AK-47.

Ministri Sveçla, i ka quajtur këto sulme terroriste, kurse drejtori i Policisë së Kosovës tha se janë duke punuar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale për të hetuar në vazhdimësi këto raste.
Ai theksoi se dyshohet që sulmet kanë ardhur nga tereni i Serbisë. Nga Ministria e Brendshme sot janë publikuar edhe pamjet e dëshmive të shumta nga këto sulme.

Pas raportimit për sulmet ndaj zyrtarëve policorë të cilët funksionojnë në veri, pati reagime të shumta nga zyrtarët shtetërore të Kosovës, por edhe nga të huajt.

Bashkimi Evropian ka dënuar sulmin ndaj policëve të Kosvoës, por ka porositur institucionet e vendit që të mos bëjnë “spekulime të panevojshme”.

Ndryshe kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se këto sulme erdhën nga Serbia, ndërsa kërkoi nga këta të fundit që të kërkojnë falje për këto zhvillime në Zubin Potok.

E nga Presidenca e Kosovës gjithashtu kanë fajësuar shtetin serb, teksa sipas të njëjtëve thuhet se këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe atë politike në vend./Lajmi.net

Go to TOP