Kelmendi kritikon ministrin Murati: tallje dhe poshtërim ndaj popullit më të varfër në Evropë
Analisti i njohur Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj një postimi të ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e cilësuar si një “tallje dhe poshtërim” ndaj popullit të Kosovës. Sipas Kelmendit, veprimet e ministrit janë një fyerje për qytetarët e një prej vendeve më të varfra në Evropë.
Ai e akuzoi Muratin për shpërdorim të parave publike dhe përdorimin e tyre për përfitime politike. “Ky ministër merr taksat e popullit më të varfër, nuk di, çka të bëjë me to dhe ua kthen një pjesë të vogël para zgjedhjeve, sikur t’i kthente nga xhepi i tij privat,” shkroi Kelmendi.
Reagimi i tij ka nxitur debat të gjerë në opinion publik, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj, siç e quajnë, “talljes” me nevojat dhe dinjitetin e tyre. Kelmendi përfundoi duke theksuar se populli i Kosovës mund të durojë shumëçka, por jo fyerjen e dinjitetit të tij. /Kosova.info/
