KEK njofton: Furnizimi përmes FMF përfundon më 30 korrik – Konsumatorët duhet të zgjedhin furnizues të licencuar
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se, në përputhje me Vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka filluar furnizimin e përkohshëm me energji elektrike si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) për konsumatorët që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar.
Sipas këtij vendimi, furnizimi përmes FMF ka nisur më 1 qershor 2025 dhe do të zgjasë për një periudhë maksimale prej 60 ditësh duke përfunduar më 30 korrik 2025. Pas këtij afati, të gjithë konsumatorët që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE, do të mbesin automatikisht pa furnizim me energji elektrike.
KEK thekson se ky furnizim i përkohshëm buron nga detyrimet dhe të drejtat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Rregulloren për FMF. Qëllimi i tij është të ofrojë kohë të mjaftueshme që konsumatorët të zgjedhin një furnizues afatgjatë.
KEK u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të prekur që sa më parë të kontaktojnë një nga furnizuesit e licencuar nga ZRRE dhe të lidhin marrëveshje komerciale për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike pas datës 30 korrik 2025.
Lista e furnizuesve të licencuar mund të gjendet në faqen zyrtare të ZRRE-së: www.ero-ks.org
KEK falënderon konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Kosova.info/
