KEK nënshkruan kontratë për trajtimin e ujërave shkarkuese në TC Kosova B

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK sh.a., ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Trajtimi i ujërave shkarkuese nga Termocentrali Kosova B”.

Ceremonia u mbajt në ambientet e TC Kosova B, me pjesëmarrjen e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministres së Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi, përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Hubert Perr, Drejtorit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, Kryesuesit të Bordit, Valdrin Krasniqi, si dhe Koordinatorit të OKB-së për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë ceremonisë, projekti u prezantua nga përfaqësuesi i UNOPS, Trevor Sway.

Projekti, me vlerë rreth 12 milionë euro, parasheh ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave shkarkuese (WWTP-A deri WWTP-E), të cilët do të trajtojnë ujërat industriale të kontaminuara me vajra, ujërat atmosferike dhe ujërat sanitare.

Sipas të dhënave, projekti do të mundësojë reduktim mbi 90% të ndotësve kryesorë, eliminim pothuajse të plotë të vajrave dhe hidrokarbureve, reduktim të metaleve të rënda dhe përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe përmirësim të cilësisë së ujit në lumin Sitnica.

Për herë të parë, të gjitha ujërat shkarkuese nga TC Kosova B do të trajtohen në mënyrë të kontrolluar dhe sipas standardeve BAT, përmes trajtimit biologjik, filtrimit, adsorbimit me karbon aktiv dhe proceseve kimike.

Nënshkrimi i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it u pasua me fotografi zyrtare dhe vizitë në terren në TC Kosova B.

Ky investim është pjesë e projekteve të KEK-ut për periudhën 2025–2027, që tejkalojnë vlerën prej 500 milionë euro, duke përfshirë modernizimin e njësive ekzistuese, investimet mjedisore dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme. /Kosova.info/


Go to TOP