KEDS: Shkaku i zjarreve një numër i konsumatorëve mbesin pa rrymë
Me urdhër të Policisë së Kosovës, kompania KOSTT ka bërë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Nënstacionet Prizreni 1 dhe Prizreni 3, për shkak të rrezikut të shkaktuar nga zjarret e mëdha në rajonin e Prizrenit.
KEDS ka njoftuar se zjarret e përhapura gjithashtu kanë dëmtuar asete elektroenergjetike të kësaj kompanie në Mitrovicë, Prizren dhe Gjakovë, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm konsumatorësh në këto zona.
“Situata është përkeqësuar më tej për shkak të erërave të fuqishme, të cilat po favorizojnë përhapjen e flakëve në disa rajone të vendit”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Ekipet e KEDS-it thuhet se janë në terren, duke punuar me intensitet dhe përkushtim për të rikthyer sa më shpejt gjendjen në normalitet dhe për të riparuar dëmet e shkaktuara në rrjetin elektroenergjetik.
“Lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim, duke shmangur veprime që mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë situatën me zjarret”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
