KDI: Mosdorëheqjet e ministrave po bllokojnë Kuvendin – jemi në një krizë të panevojshme politike
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës duke e cilësuar si shqetësues dështimin e përsëritur për miratimin e raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve – një hap kyç drejt konstituivit të legjislaturës së re.
Sipas KDI-së, shkaku kryesor i kësaj bllokade është mosdorëheqja formale e Kryeministrit në detyrë dhe ministrave që janë zgjedhur deputetë. “Kjo përveçse përbën shkelje të qartë të parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit,” thuhet në deklaratën e tyre.
KDI rikujton se, sipas legjislacionit dhe Kushtetutës së Kosovës, anëtarët e Qeverisë duhet të dorëhiqen nga funksionet ekzekutive madje edhe para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, për shkak të papajtueshmërisë së funksioneve me mandatin e deputetit. Sipas institutit, kjo nuk është çështje teknike apo interpretimi procedural, por një shkelje e drejtpërdrejtë e rendit demokratik.
Instituti ka kritikuar edhe mënyrën e mbylljes së seancës konstituive nga kryesuesi Avni Dehari duke e cilësuar si shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi seanca u ndërpre pa përfunduar votimi dhe pa u trajtuar pikat e rendit të ditës. “Ky veprim, pa ndonjë vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe thellon paqartësitë institucionale,” ka theksuar KDI.
Në fund, instituti u bën thirrje të qarta Kryeministrit dhe ministrave në detyrë që kanë fituar mandatin e deputetit: të respektojnë ligjin dhe të japin dorëheqje formale, në mënyrë që të mundësohet përfundimi i seancës konstituive dhe fillimi i punës së Kuvendit.
“Institucionet nuk mund të konstituohen duke anashkaluar ligjin. Çdo zvarritje e mëtejshme është papërgjegjësi politike dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik,” përfundon reagimi i KDI-së. /Kosova.info/
